oraeshqipes

EMRAT FEMËRORË ME TEMË ME "-o"

Administrator Administrator Postuar: 23 Maj, 2024

0 Shikime

Komente


EMRAT FEMËRORË ME TEMË ME  "-o"

EMRAT FEMËRORË ME TEMË ME "-o"

Në gjuhën shqipe ka një brumë emrash femërorë që mbarojnë temën e tyre me "-o".

Emrat e këtillë janë:

"pallto, radio, piano, çimento, balo, banjo, dado, pako, kosto, depo, xhiro, torno, sako, palaço, moto, Kajro, Oslo" etj. Me ndonjë përjashtim të rrallë (tablo, byro) pothuajse te të gjithë këta emra zanorja fundore "-o" është e patheksuar.

Sikundër shumë emra të tjerë femërorë me temë me zanore, emrat e këtij tipi për lehtësi shqiptimi e marrin tingullin epentetik "-j-" në trajtën e shquar njëjës të rasës emërore në mes temës dhe mbaresës "-a". P.sh.:

Pallto-j-a, radio-j-a, depo-j-a, Kajro-j-a, Oslo-j-a etj.

Në trajtën e shquar njëjës i marrin drejtpërdrejt mbaresat nga tema e njëjësit: "-s" për rasat e zhdrejta si (i, e, të /prej) "pallto-s, radio-s depo-s" etj. dhe "-n" në kallëzore si: " pallto-n, çinento-n etj.

Emrat e kësaj dore që dalin me "-o" të theksuar si: "byro, tablo, manto" në rasat e zhdrejta e marrin mbaresën "-së", si: (i, e, të /prej) "byro-së, tablo-së, manto-së" etj., kurse në kallëzore "-në" si "byro-në, tablo-në, manto-në" etj.

Në numrin shumës trajtën e pashquar e kanë të njëjtë me atë të njëjësit, kurse trajtën e shquar e formojnë me mbaresën "-t" si: "një/dy pallto - pallto-t, një/dy radio - radio-t". Kurse me "-të" e bëjnë ata emra që kanë të thesuar "-o-në" fundore, si "një/dy byro - byro-të, një/dy tablo - tablo-të, një/dy manto - manto-të.

Si këta emra përdoren edhe emrat e përveçëm të tipit " Pirro - Pirroja, Pirros, Pirron; Kristo - Kristoja, Kristos, Kriston; Bajo - Bajoja, Bajos, Bajon; Vito - Vitoja, Spiro - Spiroja etj."

Këta emra me gjini natyrore janë të gjinisë mashkullore, por me gjini gramatikore janë femërorë. Përcaktorët i marrin të kësaj gjinie si "Pirroja është miku im; Bajoja ka qenë trim i madh shqiptar; Kristoja ishte punëtor i zellshëm; Ky është Cipoja etj."

~ Prof. Hamdi Mazreku


Administrator
Autor

Administrator


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj